TIRANE – Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, që u mbyll në barazim 0-0, u zhvillua një një terren tepër të rënduar dhe aspak të përshtatshëm të “Air Albania Stadium”, i cili duhet thënë se e dëmtoi mjaft cilësinë e këtij takimi, që la mjaft për të dëshiruar. Në lidhje me stadiumin, pati diskutime në vigjilje edhe nga trajnerët, të cilët e vunë në dyshim terrenin e ndeshjes.
Po pse nuk u luajt në stadiumin “Selman Stërmasi”, i cili edhe menaxhohet nga klubi bardheblu? Në emisionin “Gol pas Goli” gazetarja Vilma Masha u shpreh, se sipas informacioneve të saj, klubi i Tiranës, organizator i këtij takimi, ka 44 milionë lekë të vjetëra borxhe ndaj OSHEE dhe kësisoj, ndeshja nuk mund të luhej me drita në “Selman Stërmasi”.
Gjithsesi, derbi u zhvillua në një stadium, ku fusha e “Air Albania”, ashtu siç edhe ishte parashikuar, la tepër për të dëshiruar. Kjo vërehej edhe edhe nga lojtarët në fushë, teksa shprehin pakënaqësitë e tyre krejtësisht hapur.
Nga organizatorët e këtij takimi, derbi u vendos të zhvillohej ditën e premte për të shmangur ndeshjet europiane në fundjavë, ndërkohë që u kërkua edhe të luhej nën dritat e prozhektorëve, një mundësi të cilën në kryeqytet për Tiranën, aktualisht e mundësonte vetëm “Air Albania Stadium”.
B.T (Dosja.al)