GJERMANI– Atletico Madrid ia doli të fitojë me vështirësi 3-2 ndaj austriakëve të Salzburg. Pas humbjes në ndeshjen e parë 4-0 në transfertë ndaj Bayernit të Mynihut, Los Colchoneros donin me patjetër fitoren, të cilën e arritën falë një forme mjaft të mirë të Joao Felix.Llorente zhbllokoi rezultatin, duke i dhënë Atleticos avantazhin, por austriakët u përgjigjën me golat e Szoboszalai dhe Berishës, duke përmbysur gjithçka. Megjithatë në fund ishte portugezi Joao Felix që bëri protagonistin duke shënuar dy herë dhe duke u dhënë fitoren spanjollëve.
Ndonëse pritej një tjetër fitore, Atalanta vuajti jo pak përballë të rinjve të talentuar të Ajax dhe ia doli jo pa vështirësi të shmangë humbjen brenda në Bergamo. Holandezët shënuan dy herë në pjesën e parë, me Tadiç e Traore, duke vënë në vështirësi skuadrën e Gasperinit, që riktheu baraspeshën në pjesën e dytë me dy gola të Duvan Zapatës.
Manchester City mori fitoren e dytë në grup, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 0-3 në transfertën franceze ndaj Marseille, ndërsa edhe anglezët e Liverpool morën 3 pikët e radhës falë një tjetër fitoreje 2-0, këtë herë ndaj danezëve të Midtjylland. Gjetën suksesin e parë edhe portugezët e Portos, që mposhtën 2-0 grekët e Olympiacos.
E.Ç (Dosja.al)