TORINO– Juventus thyhet në shtëpi. Bardhezinjtë humbasin 3-0 ndaj Fiorentinës në ndeshjen e fundit të vitit 2020. Një takim që nisi shumë keq për bardhezinjtë të cilët e panë veten në disavantazh në minutën e 3-të me anë të Vlahovic, ndërsa për të katranosur gjithçka mendoi Cuadrado në minutën e 18-të duke u ndëshkuar me karton të kuq pas ndërhyrjes së rëndë që bëri ndaj kundërshtarit.
Në inferioritet numerik në gjatë pjesës dërrmuese të sfidës, bardhezinjtë u munduan të paktën të shmangnin humbjen, por morën një tjetër goditje në minutën e 76-të, kur Alex Sandri realizoi autogol. Vetëm 5 minuta më vonë Caceres shënoi të tretin për ekipin vjollcë, që me këtë sukses shumë të rëndësishëm i largohet disi zonës së ftohtë.
Disfatë e rëndë për “Zonjën e Vjetër”, që tashmë lë Milanin si skuadrën e vetme pa humbje në jo vetëm në Serinë A por edhë në të gjitha ligat kryesore në Europë.
E.Ç (Dosja.al)