EUROPË– Franca fiton ndeshjen e madhe kundër Portugalisë dhe kualifikohet për në “Final Four” të Ligës së Kombeve. Në stadiumin “Da Luz”, kampionët e Botës mundën Portugalinë e Cristiano Ronaldos me shifrat 1-0 duke siguruar vendin e pare në Grupin A.Vendimtar ishte goli i N’Golo Kanté në minutën e 54-të. Po në këtë grup, Suedia mposhti me rezultatin 2-1 Kroacinë, në një ndeshje ku nordikët bënë gjithçka vetë, pasi shënuan fillimisht me Kuluesvskin e Danielson dhe më pas ky i fundit shënoi edhe në portën e tij.
Në Grupin 4 të Ligës A, Gjermania triumfoi 3-1 me përmbysje ndaj Ukrainës, në sfidën e zhvilluar në “Red Bull Arena” të Leipzigut. Yaremchuk shënoi për ukrainasit që në minutën e 12’, por të besuarit e Joakim Loë përmbysën gjithçka që në pjesën e parë me golat e Sane dhe Timo Werner.Më pas sulmuesi i Chelseat shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 64-t, duke vulosur suksesin 3-1 të “Panzer”-ave, që ngjiten kështu në krye të grupit me 9 pikë pas 5 ndeshjesh.
Po në këtë grup, Spanja nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në transfertën ndaj Zvicrës. Helvetët kaluan të parët në avantazh me golin e shënuar nga mesfushori i Atalantës, Freuler në minutën e 26’, ndërsa Spanja barazoi me Morenon një minutë para fundit të ndeshjes.Vlen të theksohet se kapiteni Sergio Ramos shpërdoroi dy 11-metërsha të akorduar për “furia roja”-n në pjesën e dytë, pasi të dyja i gjuajti në të njëjtin krah dhe u pritën mjaft mirë nga portieri i Zvicrës, Sommer.
E.Ç (Dosja.al)