ITALI- Atalanta vazhdon formën e mirë në kampionat. Pas fitores 4-2 ndaj Torinos, bergamaskët fitojnë po me katër gola ndaj Lazios së Strakoshës. Atalanta, ku luan qendërmbrojtësi nga Presheva, i dha një “shuplakë” të fortë Lazios së gardianit të Kombëtares, duke fituar thellë 1-4 brenda në “Olimpico”.
Pa u mbushur 10 minuta lojës, Gosens shtyu me forcë drejt rrjetës një top që nuk u arrit të largohej nga mbrojtja laciale pranë zonës së portierit, ndërsa në minutë e 32-të Hateboer, i lënë i lirë në shtyllën e dytë i dha epërsinë e dyfishtë Atalantës.
Goditjen e radhës Atalanta e mori pa u mbyllur pjesa e parë nga Papu Gomez, i cili realizoi edhe të katërtin për bergamaskët në pjesën e dytë, pak pasi Caicedo kishte shkurtuar diferencën në 1-3. Goditje e rëndë për Simone Inzaghin, që humb duelin e parë ndaj një rival direkt për pjesën e lartë të renditjes.
E.Ç (Dosja.al)