VENEZUELË-Salomon Rondon, sulmuesi nga Venezuela nuk ia ka dalë të fluturojë drejt vendit të tij për të përfaqësuar skuadrën në eleminatoret e Amerikës së Jugut. Sulmuesi që aktivizohet me skuadrën kineze Dalian Yifang kishte marrë ftesë nga Kombëtarja e Venezuelës për të luajtur ndaj Kolumbisë dhe Paraguait.
Por klubi nuk i kishte dhënë leje, pasi një vendim i FIFA-s i jep të drejtë klubeve të mos i lirojnë lojtarët e tyre. Rondon kishte blerë tri bileta për pesë ditë, duke tentuar çdo herë që të largohej nga Kina, por klubi i Dalian ia kishte ndaluar një gjë të tillë.Në një nga këto raste, zyrtarët e klubit e kanë zënë dhe ndaluar në aeroport, duke mos e lejuar që të hipte në avion në momentin e fundit, pavarësisht dëshpërimit të futbollistit i cili donte me çdo kusht t’i bashkohej ekipit përfaqësues.
Gjithçka ka të bëjë me faktin se skuadra e Dalian është duke luftuar për mbijetesë dhe mungesa e futbollistit do të shoqërohej me një karantinë të detyruar pas kthimit. “Unë bëra çfarë ishte e mundur për të shkuar me ekipin”, shkroi i dëshpëruar Rondon në rrjetet sociale pasi dështoi tentativa e tij e tretë e arratisjes nga Kina.
E.Ç (Dosja.al)