Ndërsa këtë javë pritej të luheshin ndeshjet e javës së 6-të, bojkoti i Ligës Profesioniste, edhe këtë fundjavë do të vazhdojë. Skuadrat e kategorisë Superiore, por edhe ato të Kategorisë së Parë, këtë boshllëk janë përpjekur ta mbushin me takime miqësore për të ruajtur përgatitjet dhe mbajtur në tonus skuadrat. Këtë të shtunë, u zhvilluan tri takime miqësore.
Në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, skuadra krutane e Kastriotit u përball me fierakët e Apolonisë, takim ky që përfundoi në barazim 1-1. Fillimisht ishin fierakët ata që kaluan në epërsi në minutën e 23-të, rezultat që u barazua pas 7 minutash nga Da Silva.
Në stadiumin “Selman Stërmasi”, bardheblutë e Tiranës u ndeshën me skuadrën e Besës së Kavajës që luan në Kategorinë e Parë. Kryeqytetasit arritën të fitojnë me rezultatin minimal 1-0, ku autor i golit të fitores ishte sulmuesi ganez Danso, i sapo ardhur në radhët e bardhebluve të Tiranës.
Ndërkohë, skuadra verilindore e Kukësit preferoi një ndeshje brenda shtëpisë, me skuadrën U-21 që do të drejtohet nga Rahman Hallaçi. Të përzgjedhurit e trajnerit Skënder Gega patën epërsi dhe fituan me rezultatin 4-0.
B.T (Dosja.al)