ITALI – Fabio Liverani e konfirmoi pozicionin e tij te Parma. Të paktën deri në ndeshjen e së mërkurës kundër Atalantas në Bergamo. Kjo është ajo që doli nga takimi i gjatë që u mbajt në qendrën sportive “Collecchio” të Parmës në mëngjes. Vendimi u mor nga vetë presidenti Kyle Krause, pasi dëgjoi mendimin e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
Ndeshja kundër Atalantas është shumë afër për të menduar, se shkarkimi i teknikut Liverani mund të sjellë kthesën. Zgjedhja e një zëvendësimi të mundshëm, gjithashtu duket e komplikuar, pasi Parma ka ende nën kontratë ish-trajnerin Roberto D’Aversa. Gjithsesi, emra të tjerë, që aktualisht janë vetëm thashetheme, për t’u ulur në pankinën e Parmës janë ata të Roberto Donadonit, Valter Zengës dhe Davide Nikolas.
Trajneri Liverani drejtoi stërvitjen sot në mëngjes pas disfatës së keqe të djeshme kundër Torinos. Punë e lehtë dhe pak biseda në dhomën e zhveshjes. Presidenti Krause gjithashtu mori pjesë në seancën stërvitore, i cili në këto ditë dëshiron të kuptojë personalisht atmosferën që mbretëron brenda grupit. Ndeshja ndaj Atalantas, jo e lehtë për t’u përballur në një moment kaq delikat, me gjasa do të përcaktojë shumë gjëra te Parma.
B.T (Dosja.al)