TIRANE – Në prag të zgjedhjeve të rradhëshme rikthehet tensioni në disa federate sportive, mes tyre edhe ajo e peshngritjes. Ka qenë kryesia e kësaj federate e cila ka përjashtuar që në start kandidatin, dhe ish-presidentin Elez Gjoza.
Komisioni i seleksionimit të kandidaturave bën me dije se ka konstatuar që Gjoza nuk është një kandidaturë në përputhje me kriteret statutore, ndërsa shpjegon se përjashtimi i tij është bërë sepse nuk përmbush kriterin e nenit 12/5/D. Rezultimi i një numri të lartë shtangistësh me doping, gjatë kohës kur Gjoza ka qenë në krye të FSHP-së, mësohet se ka qenë shkaku që komisioni e ka cilësuar ish-presidentin si një person të papërshtatshëm për të përmbushur kriterin statutor të figurës së pastër morale në fushën e sportit, e për rrjedhojë ka vendosur ta skualifikojë.
Kështu, me përjashtimin e Gjozës në garë për president të FSHP-së tashmë mbeten kandidaturat e Eglantina Çunit dhe presidentit aktual Theodhor Masllavica.
B.T (Dosjal.al)