DURRES – Në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes ndaj Bylisit, takim që do të zhvillohet nesër në “Niko Dovana”, trajneri Edi Martini ka theksuar, se e rëndësishme është vetëm që Teuta të rikthehet te fitorja. Ai është shprehur optimist për vazhdimësinë e skuadrës durrsake, pavarësisht nga humbja dhe shkëputja prej 9 pikësh e Vllaznisë.
Humbja me Vllazninë? “Nuk ka ndryshuar asgjë. Vazhdojmë të stërvitemi me të njëjtin ritëm dhe dëshirë. Duhet ta harrojmë sa më shpejt atë ndeshje sepse ishte një nga më të këqijat, që kemi bërë. Pavarësisht asaj ndeshje, jemi të fokusuar te ndeshja e radhës dhe ta fitojmë”.
Situata te Teuta? “Lojtarët tanë kanë pjekurinë e duhur dhe e dinë se çfarë kërkohet. Futbolli nuk të lë të gëzosh gjë, ndonjëherë gëzohesh pastaj hidhërohesh brenda pak ditësh. Pas një jave vjen ndeshja tjetër, kështu që ne duhet të vazhdojmë përpara. Ndaj Vllaznisë nuk do ndryshoja asgjë. E kam thënë edhe pas ndeshjes, se ishte një ditë e keqe për ne”.
Synimi? “E rëndësishme është të fitojmë ndaj Bylisit. Çdo ndeshje është e vështirë. Të rëndësishme janë tre pikët, sepse ata të bëjnë të ecësh para dhe të japin vazhdimësinë”. Fitorja e munguar në Durrës? “Më vjen keq që kemi lënë pikë. Nuk mendoj se është faktori fushë, por ka qenë diçka e shkuar, çështje fati sepse kam thënë edhe më përpara se ndeshjet janë thuajse në fushë asnjëanëse. Nesër është e rëndësishme fitorja dhe jemi të detyruar ta bëjmë këtë”.
Bylisi në mbrojtje? “Nuk ka justifikime. Kundërshtarët në Durrës dhe jashtë kanë luajtur me shumë forca në mbrojtje, përveç ndeshjes së fundit, kështu që ne do mundohemi të gjejmë zgjidhjen dhe të dimë të çajmë mbrojtjen kundërshtare. Nuk më intereson çfarë bën Vllaznia. Ne do përqendrohemi te ndeshja jonë të fitojmë dhe kur të vijë fundi i kampionatit të shohim se ku do jemi në renditje,”- ka deklaruar trajneri i durrsakëve Edi Martini para ndeshjes me ballshiotët.
B.T (Dosja.al)