Sipas gjigantit francez të naftës dhe gazit, Total, fokusi i biznesit të tij si dhe të ngjashmëve në treg do të përqendrohet drejt burimeve energjitike me karbon të ulët, në vitet në vijim.
Kompania franceze Total parashikon një kulm të mundshëm të tregut të naftës në dekadën e ardhshme para se të arrijë pikun në deri në vitin 2030, duke vënë në dukje se gazi natyror “mbetet element kyç” për industrinë e energjisë, sipas presidentit të strategjisë dhe inovacionit në Total Helle Kristoffersen, cituar nga Bloomberg, përcjell abcnews.al
Ndërsa parashikimi i gjigantit francez të energjisë është dukshëm më konservator sesa ai i rivalit të tij britanik BP, i cili në fillim të këtij muaji tha se epoka e tregut të naftës tashmë kishte mbaruar, gjithsesi mbetet në vazhdën e investitorëve që parashikojnë ndryshime drastike për industrinë.
Raporti i Total për Energjinë, i publikuar të martën, përqendrohet në rritjen e kërkesës për energji në të gjithë skenarët e analizuar, por parashikohet të plotësohet kryesisht nga energjia me karbon të ulët.
Kërkesa për energji elektrike do të arrijë një pikë referimi nga 30 në 40 për qind të totalit në 2050, një kërkesë shumë më e lartë nga 20 për qind që është sot, thekson raporti, duke përshkruar më tej një perspektivë pozitive për produktin kryesor të kompanisë, gazin natyror.
Më tej në raport thuhet se kërkesa për gaz pritet të drejtohet nga Azia, e cila do të përbëjë rreth 40% të rritjes në të gjithë botën, ndërsa vëllimet do të dyfishohen në Kinë dhe Indi.
Kulmi i kërkesës dhe prodhimit të gazit nuk pritet të vijë para vitit 2040.
Ashtu si partnerët e tjerë evropianë, Total, një nga shtatë kompanitë e naftës më të mëdha në botë, pritet që të kalojë në burimet e “pastra” të energjisë, të tilla si dielli dhe era, duke e vënë fokusin tek biznesi në bateritë diellore dhe rrjetet e karikimit të makinave. s.b/abcnews.al/