LAC – Trajneri Shpëtim Duro duket se ia ka marrë dorën suksesit ndaj Partizanit, pasi dy vite më parë e eliminoi nga Kupa me Flamurtarin, ndërsa sot bëri të njëjtën gjë me Laçin.
Në përfundim të ndeshjes, tekniku kryeqytetas foli me superlativa për portierin Sherri, por theksoi se po përballet me dëmtime të shumta, që ia vështirësojnë punën.
Pas gabimeve, Sherri reagoi në mënyrë perfekte në portë, duke u bërë hero në kualifikimin e Laçit…
Është portier me cilësi shumë të mira, shumë i bukur për t’u parë, por ka disa probleme psikologjike, e tension që në momente të veçanta ndikon negativisht. Bëri një punë shumë të mirë te penalltitë, pasi në lojë nuk pati shumë për të bërë.
E keni eliminuar edhe herë tjetër Partizanin dhe duket se ia keni marrë dorën…
E kemi eliminuar para dy vitesh, kur isha në pankinën e Flamurtarit, por edhe këtë sezon kemi një bilanc pozitiv në ndeshjet ndaj tyre. Megjithatë më i rëndësishëm është fakti që jemi në gjysmëfinale.
Çfarë nuk shkoi me lojën e ekipit sot?
Përtej kualifikimit, unë nuk jam shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit, por gjithçka vjen për shkak të problemeve fizike. Nwabueze nuk ishte në maksimum, ashtu si edhe Mazrekaj, ndërsa, por kishim edhe mungesa. Kemi përballuar me sukses një ngarkesë shumë të madhe në kampionat dhe tani po vuajmë disi dëmtimet.
B.T (Dosja.al)