Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj aksionit të Policisë së EULEX-it për bastisjen e shtëpisë së Jakup Krasniqit.
Përmes një postimi në Facebook Haradinaj ka thënë se këto bastisje janë shqetësuese dhe nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike.
“Zhvillimet e fundit me bastisjet nga policia e EULEX-it janë shqetësuese, pasi që nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike. Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se nëse drejtësia kërkon për të tilla operacione, ato mund të kryhen nga Policia e Kosovës.
“Operacionet e tilla, nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të kryhen nga Policia e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi”, është shprehur Haradinaj.